Ishte pikërisht, 10 dhjetori 1916,ku shënon një kthesë të rëndësishme për Korçën, ajo ditë u kthye në një festë të vërtetë.
"Njerëzit u mblodhën në shkollën e Shën Gjergjit, që në orën 9:00 të mëngjesit. Aty, vjen Themistokliu dhe paria e Korçës. Ndërsa përpara prefekturës, ushtarët francezë, veshur me uniformë festive, qëndronin për nder armë. Themistokliu u rrëfeu njerëzve shkakun e mbledhjes : - Do të deklarohet vetëqeverisja e Shqipërisë, - tha ai, - prandaj, duhet të kemi vëllazëri e dashuri midis nesh".
Sipas protokollit të 10 dhjetorit, qyteti i Korçës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, formonin një krahinë “autonome”, që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin.
Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata, do të ishte shqipja dhe flamuri i Krahinës “autonome”, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez.
Krahina “autonome” e Korçës, pati rëndësi të madhe dhe ishte sukses i shënuar, i forcave patriotike shqiptare.
Ajo, megjithëse pati autonomi të kufizuar, arriti të sigurojë mjaft të drejta për popullin, të krijojë kushte qetësie dhe zhvillimi ekonomik, si dhe të paralizojë veprimtarinë shoviniste greke, në Shqipërinë e Jugut.